Burgosja
Me sy të përgjakur si ujqër vrapuan,
Përpara shtëpisë me pranga të lidhën,
Policë e ushtarë gjith vendin mbuluan,
Dritaret dhe muret u vrenjtën, u dridhën.
Si stuhia e natës, që nxin më shumë natën,
Me mjete, makina e zhurmë bubullime,
Të morën me vete. Dhe lanë mandatën
e burgut serb plot ahe e mallkime.
Qelia e zezë, me ngricë drithëtire,
Torturat pa shpirt nga bish'e nxirosur,
Me grushte e shqelme, kamzhik egërsire,
Uria dhe etja të kanë rrëgjuar.
Po, nëna Kosovë, në gji të ka pranë,
Si bijën e saj të mbron të shikon.
Se ti, kur liria të çelë anembanë,
Si një brerore, për jetë atë do ndriçosh.
Se trime mbi trima, si burrë, s'tunde kurrë,
Se nënë Tereza të dha shenjtërinë,
Se Teuta ilire të dha krenarinë,
Dhe Shotja luftëtare të dha trimërinë.
Vuajtjet
Në burgun e shqaut shëronjësen ngujuan
Me pranga, zinxhir dhe hekura dënuan,
Me mure e roje, xhelatë e rrethojnë,
Që shpirtin t'ia fikin, trupin t'i dërmojnë.
Uria, errësira, ngrica përpijnë
Mundimet pa fund, torturat pa kufij.
Çdo dritë është shuar, si hije njerëzit nxijnë,
Kushdo po rrëgjohet, tretet si qiri.
Katili serb gëzon si fitimtar,
Kapitjen, sëmundjen, vdekjen që mbjell vetë,
Dhe qesh, harbon, dëfren ky gjakatar.
Me tmerret mizore, kufomat pa jetë.
Ndriçon në qeli një dritë si flakë,
Se sytë e Terezës i ka trashëguar,
Se shpirti i saj e ka frymëzuar,
Se fjala e saj e ka fjalësuar.
Ndriçon në qeli një dritë si flakë,
Se Shoten në këmbë e ngjalle ti prapë,
Se hiri i saj të ka hijesuar,
Se lufta e saj të ka burrësuar.
Kështu si unë gjithë Kosova mendon,
Për Florën shëronjëse ahton dhe nëmton,
Veç ajo si shqipe e ëngjëll dallon,
Si flamuri i luftës, shkëlqen dhe valon.
Ëndrra
Natë e akullt. Nxin si sterrë
Kjo qelia zi - skëterrë,
Ku një trup është plandosur
Posi shpendi i plagosur.
Sytë e Florës mes frengjisë
Shohin jashtë errësirë:
Asnjë xixë, yll e hënë,
Si një foshnje e pa nënë.
Mal e shkëmb muret rëndojnë,
Shtatn'e shkretë e shajtojnë.
Gjithë plagët therin, dhembin,
Gjithë gjymtyrët po e shembin.
Shpirti i Florës krahëlehtë
Fluturon porsi shigjetë,
Jashtë burgut, lart te retë,
Ku ndizen flakë rrufetë.
Nuk është shpendi i plagosur,
Nuk është foshnja e panënë,
Eshtë një shpirt i armatosur,
Që çan qiellin pa hënë.
Bredh në shtigje dhe në male,
Përmbi fusha dhe livadhe,
Suka, kodra dhe përrenj,
Nëpër pyje dhe lumenj.
Në Drenicë rri më shumë,
Sheh Ademin përmbi kullë,
Si flamur që flakëron,
Që Jasharët Komandon.
Sheh betejën, ku Jasharët
Trimërojnë si luanët,
Me fëmijë, gra e plak
Vdesin bashkë te një prak.
Ku kris pushka, sheh lavdinë,
Luftojnë trimat barbarinë,
Qëllojnë serbin gjakatar,
Që edhe foshnjen vret në bark.
Sa luftime, sa therorë,
Kuqin tokën me dëshmorë!
Serbi - bishë e tërbuar
Zmbrapset, tkurret turpëruar.
Gjithë Kosova është flamur,
Me djemtë e vajzat si nur,
Me trimat që më nuk janë,
Tundin botën anembanë.
Ja flamuri kuq e zi,
Hijeshuar prej një zjarri,
Mbi çdo gur, mbi çdo shtëpi,
Mbi çdo ballë luftëtari.
Tani Flora kthehet prapë,
N'atë strofull natëgjatë,
Me zemër të qetësuar,
Me shpirtin të frymëzuar.
Sepse ëndrra e saj gjallon,
Te fjalët që vjershëron,
Si një dritë zbradh qelinë,
Kosovën dhe Shqipërinë.
Lirimi
Gjëmon e ushton porsi luftë shtërngata,
Dhe deti ndaj qiellit dallgët vërshon,
Një hije skëterre, burgu nxin si nata,
Greminë e pafund, që shpresat humbon.
Nga kjo natë, shtërngatë, dallgë e greminë
Një xixë e zbehtë del jashtë qelisë,
Zbret shkallët e burgut një zog gjeraqinë,
Një ëngjëll plot dritë, vrapon drejt lirisë.
Shpejton makina si plumb e shigjetë,
Pengesa e fundit, një tjetër mundim.
Çdo mal, çdo kodër, çdo lumë, çdo përpjetë
Afrojnë Kosovën, si udhë pambarim...
Tani ja kufiri! Çasti kombëtar shkëlqen:
Flora puth truallin, përtokë gjunjëzuar,
Fjalëzjarrta kosovare këdo po mallëngjen,
Gjunjëzohemi dhe ne te ky vend i bekuar.
|